Ka qenë radha e Michael Kors të pushtojë pasarelat në javën njujorkeze të modës. Fuqia bashkohej me sensualitetin në koleksionin e tij “Vjeshtë 2017”, ku stilisti njujorkez përcolli edhe njëherë bindjen se moda, ashtu si kultura pop, duhet të përcjellë atë çfarë ndodh nëpër botë.

Për këtë arsye është përpjekur të krijojë një linjë veshjesh, që gërsheton nevojat e njerëzve me ndjenjën e pushtetit, por edhe atë të flirtimit.

“E menduam vërtet shumë sesi mund t’i përzienim sensualitetin dhe rrjedhshmërinë e gjërave me një qepje të bukur. Klientët tanë janë në lëvizje dhe unë pikërisht këtë desha të shpreh”, tha Michael Kors, stilist.

Thekat i jepnin fundeve të lëkurës një pamje më hokatare, ndërsa volumi i krijuar me gëzofët e fryrë dhe fustanet e çarë synon qartazi ta bëjë pamjen sa më joshëse. Rreth 65 modele morën pjesë në sfilate, përfshirë ato të masës “plus”, duke e ndihmuar Kors të përmbushë misionin e tij për të veshur të gjithë.

“Kemi femra e meshkuj nga mosha e adoleshencës deri në 40 vjeç. Kemi modele të holla, kemi të tjera të mbushura. Kemi flokë të drejtë, flokë me dredha. Kjo është ideja ime të them të drejtën. Detyra ime është t’i bëj të gjithë të duken sa më mirë të munden”, tha Kors.

Pati disa emra të njohur në mesin e publikut të mbledhur për sfilatën e Michael Kors, ndër të cilët spikatën aktoret Amanda Peet dhe Blake Lively.

Ndërkohë, shtëpia e modës “Marchesa” prezantoi një koleksion të dominuar nga fustanet femërore me lule e pupla, të frymëzuara nga tradita kineze. Firma që njihet për veshjet super luksoze, është shumë e preferuar nga VIP-at që zgjedhin krijimet e saj për parakalimet në tapetin e kuq.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel