Kuvend, shmanget përplasja Noka-Braçe

16/02/2017 00:00

Momente tensioni janë verifikuar në seancën e kësaj të enjteje në Parlament, ku deputeti demokrat Flamur Noka ka tentuar të godasë deputetin socialist Erion Braçe.

Kanë qenë deputetët e tjerë që kanë ndalur Nokën dhe pas momenteve të tensionit, nënkryetarja Valentina Leskaj ka ndërprerë seancën.

Gjithçka ndodhi në momentin kur po flishte ish-kryeministri Berisha, i cili përsëriti akuzat e tij ndaj kryeministrit Rama, për lidhje me krimin.

“S’mund të lejoj që Shqipëria të shndërrohet në banditistan. 18 shkurti është dita për t’i dhënë duart njëherë e përgjithmonë kryebanditit Edvin Kristaq Rama, që në pushtet solli terroristët, bandat kryesore, krimin më të shëmtuar.

Javën e kaluar solla prova për lidhjen e Olsi Ramës me “Hakmarrjen për Drejtësi”, me grupin e Xibrakës. Solla të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se Olsi Rama doli jashtë shtetit me makinë të modifikuar për transportin e kokainës.

Rama ka 4 javë që fshihet si mi, të vijë këtu t’u thotë shqiptarëve përse. Të tregojë mesazhet që merr nga burgu nga Aldo Bare, Dritan Dajti, etj. Grupin terrorist më të fuqishëm të Ballkanit e shpalli të pafajshëm një javë më parë.

Edi Rama është koka e krimit, i denoncuar nga Dondollaku në Prokurorinë e Firences. Më 18 shkurt të shkërmoqim banditokracinë”, deklaroi Berisha.

Pas debateve mes Braçes dhe Nokës ka rinisur seanca parlamentare. Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka ka këkruar përjashtimin e deputeëve Taulant Balla dhe Erion Braçe për fyerje në seancë.

Por debati është rindezur, çka ka detyruar kryetaren e Kuvendit të ndërpres sërish seancën.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel