Veliaj vlerëson ndërhyrjet në infrastrukturë

16/02/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur entuziast lidhur me punët e bëra në infrastrukturë, ato që sipas tij nuk kanë shumë të dukur, por nëse nuk do të ishin bërë do të kishte pasoja.

Veliaj theksoi pastrimin e kanalizimeve dhe pusetave, si dhe shmangien e aksidenteve të qytetarëve në to, për shkak se kapakët vidheshin. Veliaj tha se 70 për qind e territorit është e ndriçuar tashmë.

“Vetëm një e treta e qytetit kishte ndriçim. Mund të kalonin edhe ditë të tëra që nuk ndërroheshin dritat edhe në bulevard. Më vjen mirë që kemi vajtur nga 36% në 76%, më shumë se dyfish. Jam i bindur se do të shkojmë në 100%”, tha Veliaj.

Jo pakkush i ka vënë re vizat e bardha në forma të ndryshme, të cilave tanimë nuk u del boja pas shiut.

“Sot është një situatë krejt tjetër. Pavarësisht se disa njerëz thonë se s’kanë bukë të hanë, ndërkohë që ne bëjmë me pentagram vizat e bardha, kur qyteti është miqësor, sigurisht e bën atë me përmasa më njerëzore”, tha më tej Veliaj.

Duke folur në analizën vjetore të Ndënrmarrjes Nr.2, që merret kryesisht me infrastrukturën, Veliaj theksoi se prioritet janë kanalet kulluese dhe ato të vaditjes në komuna.

“Jemi edhe një qytet, i cili sot ka 24 njësi administrative, 13 prej të cilave zona rurale, ku bujqësia është elementi kryesor me të cilin bëhet ekonomi dhe me të cilin jetojnë këto familje. Ndaj do të doja të vendosnim prioritet, tashmë që moti është i mirë, çështjen e kanaleve. Do të doja padyshim që, siç jemi të parët në çdo gjë, të ishim bashkia e parë edhe në trajtimin e zonave rurale”, tha Veliaj.

Top Channel