Qindra të evakuuar nga zjarri në Zelandë, vdes një pilot

16/02/2017 00:00

Qindra banesa janë evakuuar në qytetin neozelandez të Christchurch si pasojë e zjarreve të mëdha që po djegin periferitë e tij.

Një pilot humbi jetën pas aksidentimit të një helikopteri të përfshirë në betejën kundër flakëve dhe të paktën 11 banesa janë shkrumbuar. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në qytet dhe në distriktin e afërt të Selwyn, ndërsa ushtria është dërguar për të ndihmuar zjarrëfikësit. Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, por kryeministri Bill English i cilësoi rrethanat si të dyshimta. Ai tha se hetimet po vazhdonin.

“Kjo na bën të kuptojmë se çfarë kërcënimi përbën zjarri për këtë komunitet, por njëkohësisht edhe aftësitë e zjarrfikësve tanë, që po bëjnë përpjekje të pakufijeshme”, tha kryeministri Bill English.

Flakët në Port Hills shpërthyen në dy vatra të ndryshme gjatë së hënës në fushat e thata të jugut të Christchurch, përpara se të shkriheshin në një zjarr që tani ka përfshirë rreth 1800 hektarë tokë. Mbi 130 zjarrfikës janë mobilizuar për të shuar flakët, bashkë me 14 helikopterë dhe 3 avionë. Një total prej 400 banesash u evakuuan nga policia, por qindra të tjerë zgjodhën të largohen nga zona. Banorët lokalë kanë krijuar një grup në rrjetin social “Facebook” për t’u ofruar strehim të evakuuarve.

Top Channel