Allison, nga Ferrari te Mercedesi

16/02/2017 00:00

Tashmë është zyrtare. James Allison është pjesë e Mercedesit në Botërorin e Formulës 1. Britaniku, i cili u largua nga Ferrari, kaloi te skuderia gjermane, ku do të mbulojë rolin e drejtorit teknik, detyrë të cilën do ta marrë në dorëzim që nga data 1 mars.

James Allison do të zëvendësojë në postin e drejtorit teknik Paddy Lowe, i cili u largua për në drejtim të Williamsit. James Allison, detyra e të cilit te Mercedesi është e njëjtë me atë që ai kishte te Ferrari deri në muajin korrik të vitit të kaluar, do të jetë në krye të skuadrës që do të punojë për zhvillimin e makinës së re W08Hybrid, që do të përdoret nga Lewis Hamilton e Valtteri Bottas.

“Jam shumë i kënaqur që do të jem sërish pjesë e garave pas një periudhe mungese. Të punoj për Mercedesin do të jetë një nder për mua, sidomos duke parë edhe rolin që do të kem. Mezi po pres të nis punën me këtë skuadër që prej 3 vitesh arrin rezultate të jashtëzakonshme”, tha Allison.

Lajmi i ardhjes së James Allison te Mercedesi u prit mjaft mirë nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj skuadre, Toto Wolff. Ky i fundit deklaroi se mezi po pret që të nisë bashkëpunimin me britanikun, të cilin ai e konsideroi si elementin perfekt dhe të përshtatshëm për skuderinë gjermane.

Top Channel