E ardhmja e Wenger vendoset në fund të sezonit

16/02/2017 00:00

E ardhmja e Arsene Wenger te Arsenali do të vendoset në fund të këtij sezoni. Sipas BBC, edhe pse francezit i është ofruar rinovimi i kontratës, në muajin qershor ai do të takohet me drejtuesit e klubit londinez për të marrë vendimin përfundimtar nëse do të qëndrojë te “Topçinjtë” apo do të pranojë largimin në mënyrë konsensuale.

Arsene Wenger është në stolin e Arsenalit që nga viti 1996 dhe kontrata e tij me këtë skuadër skadon pikërisht në fund të këtij sezoni. 67-vjeçari nuk ka mundur të fitojë titullin në Premier League që nga viti 2004, ndërkohë që Arsenali i tij ka qenë gjithnjë i pranishëm në Ligën e Kampioneve.

Por, gjërat në këtë sezon duket se janë vështirësuar ndjeshëm për londinezët, që në mbrëmjen e së mërkurës u mundën 5-1 nga Bayern Munchen në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve dhe tashmë e shohin veten pothuajse të eliminuar. Një disfatë kjo që iu bashkua atyre në kampionat me Chelsea dhe Watford, duke bërë të mendohet se te Arsenali ka ardhur koha për ndryshime dhe se disa prej yjeve të kësaj skuadre janë në ditët e fundit të qëndrimit në kryeqytetin anglez.

Top Channel