Blushi: KQZ-ja kërkon të nxjerrë LIBRA-n jashtë ligjit

16/02/2017 09:30

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, me anë të një postimi në Facebook ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se kërkon që të bllokojë pjesëmarrjen e partisë së tij në zgjedhjet e 18 qershorit.

“Pabesisht, KQZ ka propozuar një akt që kërkon të bllokojë pjesëmarrjen e LIBRA-s në zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit. Sipas Kodit Zgjedhor, një parti e cila ka një mandat deputeti, gjashtë muaj përpara ditës së zgjedhjeve, mund të regjistrohet në zgjedhje. LIBRA ka dy mandate deputetësh dhe e përmbush këtë kusht. Por, KQZ ka propozuar një udhëzim, sipas të cilit, data referencë e regjistrimit nuk është dita e zgjedhjeve, por dita e dorëzimit të listave të deputetëve. Pra, jo 18 qershori, por 28 prilli. Ky akt është totalisht i personalizuar dhe bëhet vetëm për të penalizuar LIBRA-n”, shkruan Blushi.

“Kjo është njëlloj sikur 1 prillin, ditën e gënjeshtrave, ta bësh 1 qershor me vendim KQZ-je. Natyrisht nuk është mendja e BIBAVE të KQZ-së, por e bandës së Rilindjes. E kanë kot. LIBRA do shkojë në zgjedhje me çdo kusht dhe me çdo çmim, pavarësisht nga Bibat, Bubat, Babat dhe Bebat e Rilindjes”, përfundoi postimin e tij Ben Blushi.

Top Channel