Shqetësimi i LSI për ONM, Gjosha sqaron letrën e Vasilit

15/02/2017 00:00

Çështja e bordit të menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk është më një çështje vetëm shqiptare. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka përfshirë edhe komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn.

Nëpërmjet një letre, ministrja e LSI-së i ka shpjeguar me detaje shqetësimin e ngritur nga ministri tjeter i kësaj partie, Petrit Vasili për pozicionin antikushtetues të bordit.

Informacioni që i jepet komsionerit Hahn nga minsitrja e Integrimit është se përbërja e këtij bordi me përfaqësues të ambasadave që nuk janë gjyqtarë dhe prokurorë, siç kërkon Kushtetuta, nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në ligjin e Vettingut.

Ministrja e Integrimit i kërkon komisionerit Hahn, si një aktor kyç në arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, që të ndërhyjë sërish për të rikthyer frymën konsensuale në zbatimin e reformës në drejtësi.

Në cilësinë e ministres së Integrimit, Klajda Gjosha i këroi komisionerit Hahn angazhimin personal në nisjen e një komunikimi zyrtar me përfaqësimin e të gjithë aktorëve kryesorë lidhur me reformën në drejtësi, për të bërë të mundur vijueshmërinë me korrektësi të këtij procesi.

Ndërkohë, burime nga Ministria e Jashtme i thanë Top Cahnnel se në praktikat e funksionimit të brendshëm të Këshillit të Ministrave, dërgimi i një letre të tillë duhet të ishte bërë me njoftimin dhe miratim nga kryeministri.

Top Channel i kërkoi zëdhënësit të qeverisë nëse një gjë e tillë ka ndodhur, por deri tani nuk ka asnjë pergjigje.

Top Channel