Kupa, Kukësi “kthen” nderin

15/02/2017 00:00

Skënderbeu, Tirana, Besëlidhja dhe Teuta janë skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Një gol i shënuar nga Gavazaj i ka mjaftuar Skënderbeut për të siguruar kualifikimin në ndeshjen e kthimit ndaj Laçit, ku takimi i parë ishte mbyllur në barazim 1-1.

Ndërkohë, vazhdon Besëlidhja befasinë e saj pasi ka eliminuar skuadrën e dytë të Superligës në rrugëtimin e saj për të mbërritur deri në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Fitorja 2-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit u ka mjaftuar lezhjanëvë që me barazimin 0-0 në fushën e tyre kalojnë më tej.

Kukësi-Tirana nuk pati shumë histori. Parashikimi i bërë për aleancën e mundshme ku Kukësi do të merrte 3 pikët në kampionat dhe Tirana gjysmëfinalen e kupës, rezultoi i saktë. Fitorja e lehtë e Tiranës në ndeshjen e parë 2-1 në “Selman Stërmasi” u pasua nga një ndeshje thuajse pasive nga të dyja skuadrat që përfundoi me rrjeta të paprekura dhe që i dha shansin skuadrës së Josës të kalojë për në gjysmëfinale.

Në Durrës, Teuta arriti të përmbysë humbjen 1-0 të ndeshjes së parë ndaj Vllaznisë për të siguruar kalimin në gjysmëfinale duke i mposhtur shkodranët 2-0. Teuta e zgjidhi fatin e sfidës në 8 minutat e fundit kur shënoi të dy golat.

Hila me 11-metërsh dhe më pas progni ishin ata që i dhanë mundësi Teutës të vijojë rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë. Teuta i luajti minutat e fundit me 10 futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq të Hilës.

Top Channel