Pagat e policëve, shtesë jo vetëm për punën jashtë orarit

15/02/2017 00:00

Qeveria ka miratuar një vendim i cili rrit shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit, jo vetëm për punën jashtë orarit dhe ditët e festave, por edhe për punën brenda orarit që kryhet natën.

Sipas vendimit, koha normale e punës për punonjësit e policisë është 40 orë në javë. Por brenda këtij orari, për çdo orë punë apo shërbim që kryhet nga ora 19 deri në 22 të darkës punonjësit e policisë përfitojnë një shtesë page prej 20 për qind.

Ndërsa për intervalin nga ora 22 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, shtesa është 50 për qind e pagës.

Sipas vendimit, për orët e punës gjatë ditëve të festave dhe ato të pushimeve javore punonjësit e rendit do të përfitojnë 25 për qind shtesë page dhe kompensim kohe pushimi të barabartë me shërbimin e kryer jashtë orarit.

Top Channel