Mattis: Shtoni shpenzimet, nëse nuk doni që SHBA të moderojnë mbështetjen

15/02/2017 00:00

Vetëm pak pasi u konfirmoi aleatëve të NATO-s se mbështetja e Amerikës për aleancën do të vijonte, pasi ajo konsiderohej si gurthemel i bashkëpunimit trans-atlantik, Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis u bëri edhe një “kërcënim” ministrave të mbledhur në Bruksel.

Shefi i Pentagonit konfirmoi ato çfarë ishin thënë nga presidenti Donald Trump në kohën e fushatës, duke u kërkuar vendeve aleate të shtojnë shpenzimet në mbrojtje detyrimisht, “për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara nuk do ta moderojnë mbështetjen e tyre për aleancën”, duke akuzuar madje disa kombe se po injorojnë kërcënimet, përfshi edhe ato që vijnë nga Rusia.

“Jam i detyruar t’iu jap sqarime mbi realitetin politik në Shtetet e Bashkuara, e për të theksuar kërkesën e drejtë nga populli i vendit tim në terma konkrete”, tha Mattis gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura, sipas fjalimit të parapërgatitur që u është dhënë reporterëve të huaj që udhëtonin me të në Bruksel.

“Amerika do të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e saj, por nëse shtetet tuaja nuk duan ta shohin Amerikën të moderojë angazhimet e saj ndaj aleancës, atëherë çdo kryeqytet juaji duhet të shfaqë mbështetjen ndaj mbrojtjes sonë të përbashkët”.

Pavarësisht qëndrimit publik të deklaruar më herët, aleatët europianë i kërkuan detaje në bisedime private Sekretarit të Mbrojtjes, pikërisht për sjelljen e Trumpit ndaj NATO-s, që ka garantuar sigurinë në Europë prej afro 70 vitesh.

Top Channel