Rusia shkel traktatet, dislokon raketa

15/02/2017 00:00

Në atë që mund të konsiderohet si provokimi i saj më i fundit, Rusia ka dislokuar një raketë të telekomanduar për përdorim kundër shënjestrave tokësore, duke shtyrë ekspertët të flasin për shkelje të Traktatit amerikano-rus të vitit 1987.

Rivalja tradicionale e Uashingtonit ka pozicionuar edhe një anije zbulimi pranë brigjeve të Delaware, raporton CNN, dhe ka ndërmarrë disa fluturime pranë një luftanijeje të Marinës amerikane.

Zyrtarisht, megjithatë, nuk është bërë ndonjë lidhje mes këtyre 3 ngjarjeve. Raketa “cruise” e lëshuar nga toka bie ndesh me Traktatin “INF”, i cili i detyron palët nënshkruese të mos zotërojnë, prodhojnë apo testojnë një armë të tille me rreze veprimi 500 deri në 5.500 kilometra, e as të mos posedojnë një raketahedhëse të posaçme për të.

Besohet se Rusia ka testuar një raketë të ngjashme edhe në vitin 2014. Raketa e telekomanduar ruse mund t’i kërcënojë anëtarët europiane të NATO-s, e kjo justifikon shqetësimin e menjëhershëm që ngjalli ky zhvillim.

Lëvizja e Kremlinit vjen një ditë pasi Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, u detyrua të jepte dorëheqjen mes indinjatës që shkaktuan njoftimet se ai kishte diskutuar çështje qeveritare me ambasadorin rus në SHBA, në kohën kur ende nuk e kishte marrë zyrtarisht postin.

Top Channel