Britani, rekord krimesh nga urrejtja pas referendumit

15/02/2017 00:00

Shumica e forcave policore në Angli dhe Uells kanë parë një rritje rekord të krimeve nga urrejtja në 3 muajt e parë që pas referendumit për largimin e Britanisë nga BE-ja. Më shumë se 14 mijë krime nga urrejtja janë regjistruar mes korrikut dhe shtatorit të vitit të kaluar.

Në 10 rajone, numri i të dyshuarve për krime nga urrejtja janë rritur me më shumë se 50 për qind, krahasuar me 3 muajt përpara referendumit. Policia thonë se të dhënat e tyre nga monitorimi tregojnë se incidentet thuajse kanë qenë të barabarta për çdo muaj pas pikut që pati verën e kaluar.

Tetorin e kaluar, ministria e Brendshme britanike (Home Office) publikoi shifrat paraprake që tregonin se numri i krimeve nga urrejtja në korrik 2016 ishte 41% më i lartë sesa një vit më parë. Plot 5.468 raportime të regjistruara tregojnë se ai ishte muaji që shënoi kulmin e këtyre raportimeve, duke mbështetur edhe provat anembanë vendit për një rritje të incidenteve me kërcënime, dhunë dhe abuzime.

Të dhënat e fundit nga “Press Association” vijnë nga statistikat zyrtare, që japin detaje mbi 5 krimet bazë që konsiderohen si të kryera për shkak të dallimeve racore apo fetare, e që variojnë nga sulmet deri në dëmtimet kriminale.

Në 3 muajt, përfshi shtatorin 2016, 33 nga 44 rajone policore në Angli dhe Uells shënuan shifrat më të larta të krimeve nga urrejtja që prej nisjes së krahasimit të statistikave në vitin 2012. Dorset dhe Nottinghamshire ishin mes atyre që patën rritjen më të lartë në përqindje të këtyre raporteve, me 100% dhe 75% respektivisht, krahasuar me nivelet e shënuara mes marsit dhe fundit të qershorit.

Policia Metropolitane e Londrës regjistroi numrin më të lartë të krimeve nga urrejtja, me 3.356 raportime gjatë kësaj periudhe, me Greater Manchester dhe West Yorkshire që pasojnë me 1.033 dhe 1.013 respektivisht. Vetëm South Yorkshire, Gloucestershire, Surrey dhe Londra (qytet) deklaruan rënie të këtyre shifrave.

Top Channel