Mattis, në Bruksel: NATO, gurthemeli i bashkëpunimit

15/02/2017 00:00

Me përshkrimin e NATO-s si gurthemelin e bashkëpunimit trans-atlantik, Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis i ka qetësuar kolegët e aleancës ushtarake të shqetësuar prej lumit të kritikave të Donald Trumpit ndaj saj.

Në takimin e tij të parë me ta në Bruksel, shefi i Pentagonit garantoi angazhimin e Uashingtonit, por u bëri jehonë komenteve të kreut të Shtëpisë së Bardhë se shumë vende anëtare duhet t’i rrisin shpenzimet ushtarake.

“Administrata amerikane e mbështet shumë fort NATO-n. Aleanca mbetet një shtyllë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin transatlantik, që janë ngushtësisht të lidhur”, tha James Mattis, Sekretar amerikan i Mbrojtjes.

Ndërsa përshëndeti aftësinë e NATO-s për t’iu kundërpërgjigjur sfidave të sigurisë, Mattis kujtoi se është një kërkesë mëse e drejtë, që vendet të cilat duan të përfitojnë nga mbrojtja më e mirë në botë, të kenë një kontribut proporcional në koston e nevojshme për mbështetjen e lirisë së tyre.

Komentet e Trumpit gjatë fushatës, se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë më aleatët që nuk japin aq sa duhet për NATO-n, shqetësuan mjaft vende europiane, sidomos ato që ndajnë kufijtë me Rusinë. Një ditë më parë, edhe Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.

Top Channel