Australi, arrestohet ish-notari për dhunë në familje

15/02/2017 00:00

Ish-notari australian i distancave të gjata, Grant Hackett u arrestua nga policia me akuzën e dhunës në familje. Denoncimi ndaj 3 herë kampionit olimpik u bë pikërisht nga babai, Neville, dhe vëllai i tij, Craig Hackett, me këtë të fundit që e përkufizoi 36-vjeçarin si një rrezik për veten e tij, por edhe për komunitetin.

Një prej zëdhënësve të Policisë së Queensland informoi se arrestimi u bë për shkak të problemeve që ai shkaktoi në “Surfer’s Avenue”, në zonën Mermaid Ëaters, një ngjarje kjo që nuk është komentuar ende nga agjenti i ish-notarit.

Hackett fitoi medaljen e artë në 1.500 m në Lojërat Olimpike të Sidnejit në vitin 2000 dhe “Athinë 2004”, përpara së të deklaronte tërheqjen pas “Pekin 2008”, ku fitoi medaljen e argjendtë në këtë garë. 10 herë kampioni i botës u rikthye në pishina me objektivin për të marrë pjesë në lojërat e Rio de Janeiros, por dështoi në tentativën e tij.

Nuk është hera e parë që Hackett ka probleme me rendin. Në muajin prill të vitit të kaluar, ai u mor në pyetje nga policia e aeroportit në Melbourne, për shkak të një zënke me një prej pasagjerëve, një incident për të cilin ai kërkoi ndjesë.

Hackett ka pranuar gjithashtu varësinë nga medikamentet, e sidomos nga qetësuesit e gjumit. Në vitin 2014 ai shkoi në SHBA për të hyrë në një qendër rehabilitimi, pasi u gjet i zhveshur dhe i çorientuar në një kazino në Melbourne.

Top Channel