U “masakrua” nga PSG, Enrique: Gjithçka është e mundur

15/02/2017 00:00

Paris Saint Germain masakroi Barcelonën në Ligën e Kampioneve ditën e Shën Valentinit teksa e mundi 4-0 në ndeshjen e parë të 1/8 të finaleve me katalanasit që tashmë janë me një këmbë jashtë kompeticionit që në këtë fazë, gjë që nuk u ndodhte nga sezoni 2006/2007.

Di Maria, Draxler e Cavani ishin ata që e bënë Barcelonën te dukej si një ekip i vogël në fushën e lojës diçka që u pranua edhe nga vetë trajneri Luis Enrique me këtë të fundit që gjithsesi nuk e fsheh optimizmin për ndeshjen e kthimit

“Kundërshtarët tanë ishin superiorë nga fillimi deri në fundin e ndeshjes”, tha Luis Enrique. “Ata bënë presing më mirë se ne dhe nuk mundëm ta përballonim. Paris Saint Germain luajti shumë më mirë. Por kemi edhe një sfidë për të luajtur që do të jetë në fushën tonë, duhet të shënojmë 4-5 gola. Besoj se gjithçka është e mundur”.

Unay Emery nuk e fshehu entuziazmin e tij për këtë sukses mëse të merituar të skuadrës së tij që sheh çerekfinalen në horizont. Por pavarësisht kësaj edhe ai deklaron se çështja e kualifikimit nuk është mbyllur ende.

“Skuadra punoi shumë për këtë ndeshje dhe u shpërblye”, tha Emeri. “Sot treguam diçka nga forca jonë falë talentit të futbollistëve. Por e respektojmë Barcelonën dhe kemi edhe 90 minuta për të luajtur që do të jenë të gjata për ne pasi e dimë që do të vuajmë në Spanjë”.

Ndeshja e kthimit mes Barcelonës dhe Paris Saint Germain do të luhet në 8 mars në “Camp Nou” me katalanasit që u duhet të fitojnë 4-0 për ta çuar të paktën në shtesë këtë përballje.

Top Channel