Meta vizitë në Austri, takim me homologen Bures

15/02/2017 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka nisur një vizitë dy ditore në Austri. Ai është takuar me homologen austriake, Doris Bures.

Meta është shprehur se reforma në drejtësi është me rëndësi për luftën kundër korrupsionit dhe kredibilitetin e vendit. Ai ka vlerësuar mbështetjen e Austrisë për integrimin e Shqipërisë.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, duke u shprehur për një thellim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve.

Meta-Bures biseduan dhe për zhvillimet në rajon, ku u vlerësua mbështetja austriake për të gjitha vendet e rajonit.

“Austria përkrah gjithmonë afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe në organizatat ndërkombëtare edhe ne kemi thënë se edhe nivelin dypalësh do të vazhdojnë edhe në të ardhme këto lidhje të ngushta, jo vetëm midis qeverive, por edhe midis parlamenteve tona”, u shpreh Bures.

Austria mban presidencën e radhës të OSBE-së. Në këtë vizitë Meta shoqërohej nga kryetarja e komisionit të jashtëm parlamentar, Arta Dade.

Top Channel