Një mision, 104 satelitë dhe një rekord botëror

15/02/2017 00:00

India ka rishkruar historinë duke lëshuar me sukses plot 104 satelitë në një mision të vetëm, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm të lëshimit të 37 satelitëve nga Rusia në vitin 2014.

Lëshimi i tyre u bë nga Qendra Hapësinore “Sriharikota” në Jug të Indisë, ndërsa të gjithë satelitët, me përjashtim të 3 prej tyre, ishin nga vende të huaja, shumica prej të cilave nga Shtetet e Bashkuara.

Mbikëqyrësit thanë se ky është një sinjal që tregon se India po ngrihet në nivelin e një “lojtari kyç” në tregun disamiliardësh të hapësirës.

“Ky është një moment i rëndësishëm për secilin prej nesh. Sot kemi rishkruar historinë”, është cituar të ketë thënë drejtori i projektit Jayakumar, nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryeministri Narendra Modi ishte mes të parëve që uroi shkencëtarët, duke shkruar në “Twitter” se “ky është një hap i jashtëzakonshëm nga ISRO, ndërsa përbën edhe një moment krenarie për komunitetin tonë të shkencës hapësinore dhe kombin në tërësi”.

Fraza “rekord botëror” ka qenë tejet i përdorshëm në rrjetet sociale përgjatë mëngjesit të kësaj të mërkure. Nga 104 satelitët e vegjël, 96 i përkisnin Shteteve të Bashkuara, ndërsa mes të huajve të tjerë janë edhe ato të Izraelit, Kazakistanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Zvicrës dhe Holandës.

Një sasi e konsiderueshme e satelitëve kanë aftësi fotografimi të Tokës dhe i përkasin kompanisë amerikane “Planet”. Një satelit indian kartografie, që besohet se ka aftësi të fiksojë pamje me cilësi të lartë ndodhet gjithashtu në bord. Ai pritet të përdoret për të monitoruar “armiqtë” rajonalë, Pakistanin dhe Kinën.

Top Channel