Aleksandar Vuçiç kërkon presidencën serbe. Partia Progresiste Serbe, “SNS” e zgjodhi njëzëri 46-vjeçarin si kandidatin e saj në zgjedhjet presidenciale të prillit.

Ish-ultranacionalisti Tomislav Nikoliç e tërhoqi kandidaturën. Vendimi u mor pas konstatimeve se Vuçiç është i vetmi kandidat i kësaj partie, që mund t’i fitojë zgjedhjet që në raundin e parë të votimeve.

Kishte shumë shqetësime se kreu aktual i shtetit, Nikoliç, që kërkon lidhje më të ngushta të Beogradit me Rusinë, nuk do të mund ta arrinte një sukses të tillë.

Të gjitha sondazhet e deritanishme e nxjerrin Vuçiçin si fitues të qartë në votime.

Roli i presidentit në Serbi është përgjithësisht ceremonial, por nëse kontrollon shumicën parlamentare, atëherë ai mund të ushtrojë ndikim të madh mbi qeverinë dhe kryeministrin e ardhshëm.

Vuçiç sqaroi se do të qëndrojë në krye të ekzekutivit deri në shpalljen e datës së zgjedhjeve, por refuzoi të flasë për pasardhësin e tij, ndërsa e la të hapur mundësinë që krahas atyre presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e reja parlamentare.

Në presidencialet e prillit, kandidati i “SNS” ka përballë kundër një opozitë të fragmentarizuar dhe të përçarë. Zgjedhjet do të jenë një test i rëndësishëm për Vuçiçin dhe reformat e premtuara ekonomike të mbështetura nga FMN-ja, por edhe për kursin e ndjekur prej tij për një afrim më të madh të vendit 7.3 milionë banorësh me Bashkimin Europian.

Top Channel