Paratë u groposën me tenxhere. Avdulaj u arrestua në kazino

15/02/2017 00:00

Prokuroria dyshon se njëri nga ish-ushtarët profesionistë, Neim Avdulaj është rekrutuar nga grupi i grabitësve duke shfytëzuar dobësinë e tij për lojërat e fatit.

Madje, grupi i hetimit thotë se Avdulaj u kap nga forcat operacionale teksa po luante në një kazino. Ai u arrestua menjëherë sapo kishte fituar 600 mijë lekë. Ai ishte zhvendosur nga Vlora për të jetuar në Tiranë, thotë policia, ndërsa gjatë kontrolleve me detektorë në banesën e tij, policia gjeti edhe dy tenxhere të vulosura dhe të mbushuara me valutë të huaj.

Lazës Sokoli, avokat që përfaqëson Neim Avdulajn, tha se deri nuk e ka takuar ndonjëherë të dyshuarin, teksa ka bërë përpjekje që dje për ta bërë një gjë të tillë. Edhe sot më thanë se nuk e takoj dot pa marrë autorizimin e prokurorit. I pyetur nëse kjo dosje ka lidhje me atë të bandës së “babagjyshëve”, avokati nuk dha përgjigje.

Ka dyshime se në grabitjen e Rinasit, ku u rrëmbyen 3.2 milionë dollarë, Avdulaj është njëri nga personat e armatosur që kryen sulmin. Krah tij në këtë grabitje ka qenë edhe i shumëkërkuari Admir Murataj, 42 vjeç nga fshati Margegaj i Tropojës. Murataj në fakt, prej 2013-s është një ndër të kërkuarit nga dy shtete, pas arratisjes së bashku me 7 shqiptarë të tjerë nga Burgu i Trikallas, ndërsa rezulton i implikuar edhe në grabitjen e një banke në Larisa të Greqisë.

Policia dyshon se Murataj ka pasur rol aktiv në grup, e po ashtu ka dyshime se ka rekrutuar anëtarë në bandën e tij. Ndërkohë, nga kontrollet policore në banesën e tij dhe të të afërmve në Vorë u gjet një kasafortë me valutë.

Enigmatik ngelet emri i të kërkuarit tjetër Jetmir Çerpja, 35 vjeç banues në Kamëz, për të cilin priten të dhëna nga shteti grek, pasi ka dyshime se ai ka qenë i aktivizuar në ngjarje kriminale në këtë shtet.

Siç thotë grupi i hetimit, Çerpja ka rënë në kontakt në Greqi me Muratajn dhe një tjetër personazh të botës së krimit, Ilir Kupa. Pikërisht këto të dhëna, por edhe prania së fundmi e Ernest Kupës në grupin e të arrestuarve, ka sjellë dyshime të tjera për hetuesit.

Sipas burimeve, dy vite më parë Ernest Kupa ka qenë mes të dyshuarve për grabitjen në një qendër tregtare në Tiranë, mes atyre që u quajtën “banda e babagjyshëve”. Por mungesa e provave nuk e çoi në pranga kushëririn e parë të Ilir Kupës, i cili u dënua nga Krimet e Rënda së bashku me 10 persona të tjerë si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, që kishte kryer së paku 11 grabitje të dhunshme.

Këto të dhëna janë kokëforte, por grupi i hetimit heziton dhe nuk ka dalë ende në një konkluzion përfundimtar nëse bëhet fjalë për një superbandë, që është autore e grabitjeve të bujshme, që përveç shumave të konsideueshme, ka brenda edhe elementë spektakolarë si vjedhja në një qendër tregtare, ashtu edhe dy vjedhjet në rrugën kryesore në vend që lidh kryeqytetin me aeroportin.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel