Kalon rreziku në Oroville, zjarret frikësojnë qytetin neozelandez

15/02/2017 00:00

Kalimi i rrezikut për shembjen e urës më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka hapur rrugën kthimit të banorëve të evakuar nga frika e një përmbytjeje të luginës poshtë saj.

Pas përpjekjesh të mëdha, autoritetet arritën të drenonin mjaftueshëm ujë nga kanali kryesor i shkarkimit, duke lehtësuar presionin mbi strukturën 230 metra të lartë. Por ndërsa rezidentët e Oroville kthehen të lehtësuar nga shmangia e katastrofës, ata pranë Christchurchit në Zelandën e Re, një qytet i munduar shpeshherë nga tërmetet, janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve të fuqishme pyjore, që po përhapen me shpejtësi të frikshme.

Përpjekjet e zjarrfikësve në terren u përforcuan nga ajri me avionë çisternë, që kanë hedhur ujë mbi zonat më problematike, por asgjë nuk ka mundur ta ndalë hovin e flakëve. Njëri nga helikopterët e angazhuar për këtë qëllim u rrëzua duke marrë jetën e pilotit të tij. Zyrtarët nuk patën zgjidhje tjetër përveçse të shpallnin gjendjen e emergjencës.

Banorët në Port Hill flasin për një mur të vërtetë flakësh që zbret nga kodrat përreth. Departamenti i Zjarrfikësve i nxiti njerëzit në zonë që të mos ngurrojnë të largohen, nëse mendojnë se ekziston qoftë edhe ndonjë mundësi e vogël rreziku për ta.

Top Channel