Rusia dislokon raketën që rrezikon vendet evropiane të NATO-s

15/02/2017 00:00

Mediat amerikane raportojnë se Rusia ka dislokuar në terren një raketë të re  “Cruise” me rreze të mesme veprimi, akt ky që shkel traktatin, i cili i ka dhënë fund Luftës së Ftohtë.

New York Times dhe CNN citojnë zyrtarë të lartë amerikanë, por pa dhënë shumë detaje. I pyetur në lidhje me këtë zhvillim, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner konfirmoi se Rusia është në shkelje. 

“Ne i kemi bërë të qarta shqetësimet tona për sa i përket rrezikut që përbën për sigurinë në Evropë dhe Azi”, tha Toner.
 
Gjatë fazës testuese, administrata e kaluar i ka bërë thirrje disa herë Rusisë që të ndalet, pasi një raport i Departamentit të Shtetit doli në përfundimin se Federata Ruse po shkelte detyrimet e saj që të mos prodhonte dhe testonte raketa “Cruise” me rreze 500 deri në 5 500 km.  Më 2014-ën, kur doli ky raport, Moska akuzoi Washingtonin se po ndërmerrte një diplomaci megafonësh.

CNN e quan këtë një akt tjetër që i shtohet serisë së provokimeve ruse në ditët e para të presidencës Trump, pavarësisht se ky i fundit flet për marrëdhënie më të ngrohta me Kremlinin.

Sipas CNN, rusët  kanë pozicionuar  një anije spiune në brigjet e Delaware dhe kanë kryer fluturime pranë një anije luftarake amerikane, gjë që ka shkaktuar shqetësim te ushtarakët e lartë amerikanë, por zyrtarisht, administrata Trump nuk  ka bërë ndonjë lidhje mes tre ngjarjeve.
 
Sistemi rus i raketave mund të jetë në gjendje të kërcënojë vendet evropiane, anëtare të NATO-s. Një zyrtar i NATO-s ka thënë për CNN-in se traktati eliminon një kategori armësh që kërcënojnë Evropën, ndaj çdo shkelje e Rusisë është arsye për shqetësim.

Top Channel