Flynn, dorëheqjen ia kërkoi Trump. Kishte humbur besimin

14/02/2017 00:00

Donald Trump i kërkoi dorëheqjen këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, pasi niveli i besimit tek ai u zbeh deri në atë pikë, sa presidenti e ndiente se duhej një ndryshim.

Një ditë pas dorëheqjes së Flynnit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se Trump kishte qenë i shqetësuar se ai kishte keqinformuar zëvendëspresidentin Mike Pence, mbi kontaktet e tij me zyrtarët rusë para se Trump të ulej në detyrë më 20 janar.

Sipas Spicer, Trump ka vlerësuar situatën e krijuar prej disa javësh.

“Çështja nuk është çfarë ka diskutuar ai. Problemi është nëse ai ka dështuar apo jo të informojë saktë zëvendëspresidentin, nëse ai ka qenë i ndershëm me të apo jo. Në momentin që ai ka humbur besimin e presidentit, atëherë presidenti ka kërkuar dhe ka marrë dorëheqjen e tij”, tha Sean Spicer, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Në mesin e apeleve të Kongresit për një hetim të plotë të çështjes, Spicer tha se këshilli ligjor i Shtëpisë së Bardhë kishte vlerësuar situatën dhe besonte se rasti i Flynn ishte shqyrtuar jo si një çështje ligjore, por si një çështje besimi.

Sipas Spicer, Trump nuk e ka autorizuar Flynn në asnjë moment për të diskutuar mbi sanksionet amerikane për Rusinë me diplomatin rus. Michael Flynn dha dorëheqjen pas akuzave se ai kishte diskutuar për sanksionet amerikane me një diplomat rus, para se Trump të ulej në detyrë.

Fillimisht ai mohoi të kishte diskutuar për sanksionet me ambasadorin Sergei Kislyak dhe zëvendëspresidenti Mike Pence mohoi publikisht akuzat në emër të tij. Më pas, Flynn tha se nuk e kujtonte mirë nëse ai kishte diskutuar apo jo për sanksionet.

Top Channel