Luiza Gega, e dyta në mitingun e Çekisë

14/02/2017 00:00

Luiza Gega është renditur e dyta në mitingun europian të zhvilluar ditën e martë në Çeki, në garën e 1500 m për salla të mbyllura.

Atletja shqiptare, edhe pse nuk ka mundur të thyejë rekordin e saj të mëparshëm, ka mundur të bëjë një paraqitje shumë të mirë duke e ndalur kronometrin në kohën 4 minuta 8 sekonda e 26 të mijtat.

Ky është rezultati i dytë i mirë që arrin Luiza Gega pas garës së 3000 m për salla të mbyllura në Paris, ku u rendit në vendin e tretë dhe përmirësoi rekordin kombëtar me 37 sekonda nga Anila Kasati, që e kishte vendosur në vitin 1996. Megjithatë, duket se përpara Kampionatit Europian të Atletikës, që do të zhvillohet në fillim të muajit mars në Beograd, Luiza Gega mund të marrë pjesë në një tjetër miting të atletikës.

Prej mëse dy muajsh, Luiza Gega ka qëndruar në Kenia për tu përgatitur për këto aktivitete dhe për Europianin.

Top Channel