Pr.rezoluta në PE: Vetting, dekriminalizim dhe zgjedhje. Dështimi…

14/02/2017 00:00

Parlamenti Europian ka diskutuar në seancë plenare projektrezolutën për Shqipërinë. Raportuesi Knut Fleckenstein tha se negociatat e anëtarësimit duhen hapur kur të jenë ndërmarrë hapat e parë konkretë në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe në veçanti “vetting”-u, ku të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët aktualë do të rivlerësohen.

“Besueshmëria dhe efektshmëria e të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi varet nga realizimi praktik i ‘vetting’-ut. Pa rivlerësimin e anëtarëve të Gjyqësorit nuk do të ketë një reformë serioze në Drejtësi. Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi duhet të ndjekë paralelisht negociatat e kapitujve të anëtarësimit. Po ashtu duhet të kemi zgjedhje të pastra parlamentare në Shqipëri, blerja e votave në një vend që shkon drejt integrimit europian është e paimagjinueshme. Gjithsesi duhet të pranojmë që Shqipëria ka bërë më shumë se vendet që u janë hapur aktualisht negociatat”, tha eurodeputeti Knut Fleckenstein.

Ashtu si dhe raportuesi Fleckenstein, edhe komisioneri Hahn kërkoi dialog dhe kompromis nga mazhoranca dhe opozita për Reformën në Drejtësi dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Krahas drejtësisë dhe zgjedhjeve, nga institucionet europiane kërkohet zbatimi i plotë i ligjit të Dekriminalizimit, duke përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë të inkriminuarit, kërkohet transparenca e auditi për financimin e partive politike, si dhe vota e emigrantëve.

Komisioneri Hahn tha se Komisioni Europian do të rrisë mbështetjen teknike për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Shqipëria duhet të na dëshmojë raste konkrete hetimesh, gjykimesh dhe ndëshkimesh në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Korrupsioni në nivele të larta shtetërore do të duhet të përballet në mënyrë më efektive, duke rritur numrin e rasteve nën hetim. Trupat e ‘vetting’-ut kanë nisur veprimin dhe progresi i qëndrueshëm në këtë fushë do të bënte të mundur hapjen e negociatave”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Negociatat e Zgjerimit.

Eurodeputetët, ndonëse kanë vlerësuar operacionet e fundit të policisë për të ndalur kultivimin dhe trafikimin e drogës, kanë vënë në dukje se organet e Policisë dhe të Prokurorisë kanë dështuar që të identifikojnë grupet kriminale që qëndrojnë pas parcelave të drogës.

“Ne duhet të sigurohemi nga pala shqiptare se gjyqtarët e rinj do të jenë profesionistë të pavarur. Shpresoj të mos ketë një polarizim të skajshëm mes mazhorancës dhe opozitës gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, sepse kjo do të rrezikonte vijimin e reformave në vend”, tha Monica Macovei, eurodeputete.

Një pikë të veçantë në rezolutë ka zënë dështimi i autoriteteve kompetente për të dhënë drejtësi për viktimat e 21 Janarit 2011. Projektrezoluta për Shqipërinë votohet të mërkurën në mesditë në Parlamentin Europian.

Top Channel