Pagat e edukatoreve, Veliaj: T’i barazojmë me mësuesit

14/02/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj premton barazimin e pagës së një edukatore kopshti dhe çerdheje me atë të një mësuesi.

“Patëm mundësi që të bënim një rritje të parë të rrogave dhe jam shumë shpresëplotë që nëse Bashkia do të vazhdojë me këtë ritëm, do të jemi akoma më të mundur që të shpërblejmë financiarisht dhe të barazojmë rrogat tona, sepse unë besoj që një mësues në shkollë nuk bën ndonjë punë shumë më të madhe”, tha Veliaj.

Veliaj thekson se pas çerdheve dhe kopshteve, bashkia do të vijojë investimet për fëmijët për të eleminuar zhvillimin mësimit me turne. Ndërtimi shkollave, tha Veliaj, do të bëhet në partneritet me kompanitë private në mënyrë që brenda një viti të ndërtohen 20 shkolla.

“Do të shpenzojmë saktësisht sa shpenzojmë çdo vit, por në vend që të ndërtojmë nga një shkollë në vit, atë fond do ta përdorim si këste për të patur të 20 shkollat menjëherë. Vërtet do të paguajmë me këste, por ama sigurohemi që kjo historia kur kemi 57 shkolla në Tiranë me dy turne, kjo duhet të përfundojë”, u shpreh kryebashkiaku.

Ndërsa, për të reduktuar trafikun në kryeqytet Veliaj ka propozuar që të ndryshojë fasha e orareve të fillimit të punës në mëngjes.

“Ashtu siç kemi bërë me çerdhet dhe kopshtet, që i paraprimë fluksit 7-8, duke i paraprirë në 06:30 dhe 07:00, ne do të duhet ta bëjmë edhe me institucione të tjera, ndoshta edhe me shkollat priva, ndoshta edhe me shumë prej ministrive”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Top Channel