Boca Juniors, grushte mes dy mbrojtësve në stërvitje

14/02/2017 00:00

Dy prej mbrojtësve të skuadrës agjentinase Boca Juniors, Juan Insaurralde dhe Jonathan Silva kanë shkëmbyer grushta me njëri-tjetrin gjatë një seance stërvitore të mëngjesit të së martës. Për t’i ndarë ata kanë ndërhyrë shokët e tjerë të skuadrës, që po stërviteshin në mjediset stërvitore në Buenos Airesit.

Edhe pse kamerat e televizioneve ishin të pranishme, kjo nuk i ka frenuar dy mbrojtësit të zihen me njëri-tjetrin, pas një debati me fjalë fillimisht e më pas edhe me kontakte fizike. Trajneri i ekipit, Guillermo Barros Schelotto hodhi poshtë me neveri pajisjen elektronike “notepad”, ndërsa i dënoi të dy lojtarët të largoheshin nga stërvitja.

Pamjet televizive treguan më pas Insaurralden me një bluze të shqyer, ndërsa Silva mbulonte gojën me duar. Nuk dihet arsyeja e kësaj grindjeje, por që të dy lojtarët dolën në një konferencë për shtyp pas stërvitjes dhe kërkuan falje.

“Dua t’i kërkoj falje Jony (Silva), shokëve të mi të skuadrës, stafit teknik, tifozëve dhe të gjithë klubit. Ajo që bëra ishte tejet e gabuar. Ishte thjesht një 5 sekondësh me nervozizëm”.

Boca Juniors udhëheq kampionatin argjentinas të futbollit, i cili është pezulluar përkohësisht për shkak të një mosmarrëveshjeje për të drejtat televizive. Ndeshjet, me shumë gjasë do të rifillojnë më 3 mars.

Top Channel