Pescara e Memushajt shkarkon Oddon. Trajnerin pa asnjë fitore

14/02/2017 00:00

Ledian Memushaj dhe Leonardo Maloku, dy futbollistët shqiptarë që aktivizohen te Pescara në Itali, nga kjo e martë nuk do të kenë më si trajner Massimo Oddon. Vendimi për shkarkimin e ish-futbollistit të kombëtares italiane dhe Milanit është marrë nga presidenti i klubit, Daniele Sebastiani, i cili e ka justifikuar me një deklaratë të thjeshtë: Duam t’u heqim alibitë lojtarëve.

Drejtimin e ekipit të Pescarës e ka marrë përkohësisht Luciano Zauri, derisa të vendoset pasuesi i Oddos në pankinën e skuadrës që renditet në vendin e fundit të Serie A, me vetëm 9 pikë në 24 ndeshje.

Nuk dihet se çfarë alibish mund të kenë përdorur lojtarët, apo nëse ecuria negative në kampionat ka ardhur për shkak të mosbashkëpunimit mes tyre dhe trajnerit, por fakt është se Oddo mori drejtimin e Pescarës në maj të vitit 2015, kur ishte në Serie B, dhe arriti ta ngjiste në elitën e futbollit italian.

Por vetëm kaq, pasi prej atëherë nuk ka arritur asnjë fitore të vetme në fushë. Thënë kjo, pasi fitorja 3-0 e regjistruar në javën e dytë të kampionatit me Sassuolon ka ardhur në tavolinë. Veç këtij 3-pikëshi, Pescara nën drejtimin e Oddos kishte siguruar vetëm 6 barazime, ato me Napolin, Torinon, Genoan, Sampdorian, Cagliarin dhe Palermon, për t’u dorëzuar më pas në çdo përballje tjetër.

Top Channel