Ofertë “galaktike” për Realin, harrojeni “Adidas”-in

14/02/2017 00:00

Reali i Madridit mund ta harrojë shpejt “Adidas”-in. Një superofertë, “e çmendur” madje për nga shifrat stratosferike, mund t’i trokasë shumë shpejt në derë klubit “merengues” nga përtej Atlantikut.

Bëhet fjalë për kompaninë amerikane të veshjeve sportive “Under Armour”, e cila duket se po mendon t’u ofrojë madrilenëve plot 150 milionë euro në vit.

Pasi kanë shtënë në duar futbollin amerikan “NFL”, kompania me seli në Baltimorë duket se i ka hedhur sytë nga futbolli dhe, sipas “Marca”, ka në objektiv klubin mbretëror të Spanjës, që i ka qëndruar besnik kompanisë “Adidas” që prej vitit 1998, prej të cilës marrin 40 milionë euro në vit.

Amerikanët duket se janë të gatshëm të ofrojnë më shumë se 3-fishin e kësaj shume, ndërsa Florentino Perez vështirë se mund t’i thotë “Jo” një tratative “galaktike”, për të cilën në fakt ndoshta do të duhet të pritet deri në vitin 2020, kur skadon edhe kontrata aktuale mes “Los Blancos” dhe kompanisë gjermane.

“Under Armour” e ka nisur këtë zgjerim me Tottenhamin në Angli, për të tentuar tashmë tregun spanjoll dhe pikërisht klubin më të famshëm të botës. Nëse realizohet, kontrata me Realin do të ishte më e shtrenjta e një sponsori teknik, teksa aktualisht vendin e parë e mban Manchester United me 940 milionë euro përgjatë 10 viteve me “Adidas”.

Top Channel