Vritet duke u helmuar në Malajzi vëllai i Kim Jong-un

14/02/2017 00:00

Vëllai i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është vrarë i helmuar në kryeqytetin malajzian Kuala Lumpur. Policia malajziane tha se një koreanoverior, që priste në aeroport për një fluturim drejt Makaut, është ndierë keq dhe ka humbur jetën, ndërsa po dërgohej në spital.

Sidoqoftë, zyrtarët e identifikuan atë si Kim Chol dhe jo Kim Jong-nam. Djali më i madh i Kim Jong-ilit të ndjerë mendohet se është larguar nga Koreja e Veriut, pasi u anashkalua për lidershipin.

Sipas medieve koreanojugore, 45-vjeçari ishte helmuar në aeroport nga dy gra, që mund të ishin spiune koreanoveriore. Një zyrtar malajzian, që foli për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, tha ndërkohë se Kim Jong-nam ishte sulmuar me një spraj në zonën tregtare të aeroportit.

Një burim britanik, me lidhje të ngushta me familjen Kim, tha për BBC-në se shkak i vdekjes ishte helmimi. Në vitin 2001, Kim Jong-nam ishte kapur teksa përpiqej të hynte në Japoni me një pasaportë false. Ai kishte thënë se planifikonte të vizitonte Disneylandin në Tokio.

Dikur ai konsiderohej si pasuesi i mundshëm i Kim Jong-ilit, por pas këtij incidenti duket se nuk kishte më mbështetjen e të atit. I anashkaluar në favor të gjysmëvëllait të tij më të ri në moshë, për të pasuar të atin kur ky i fundit vdiq në vitin 2011, Kim Jong-nam ka mbajtur një profil të ulët duke kaluar pjesën më të madhe të kohës jashtë vendit, në Macau, Singapor dhe Kinë.

Në vitin 2011, ai ishte cituar nga mediet japoneze të thoshte se ishte kundër trashëgimit të postit, ndërsa një vit më vonë thoshte se besonte që gjysmëvëllai më i vogël nuk kishte cilësitë e duhura për të udhëhequr, se Koreja e Veriut ishte e paqëndrueshme dhe se nevojitej një reformë ekonomike e stilit kinez.

Kim Jong-nam ka qenë edhe më parë në shënjestër. Një spiun koreanoverior u arrestua në Korenë e Jugut në vitin 2012, pasi kishte pohuar se po inskenonte një aksident që do të kishte në objektiv gjysmëvëllain e Kim Jong-un.

Ky është rasti i dytë i vdekjes së një personaliteti të lartë të familjes së Kim, në pushtet prej rreth 70 vitesh. Në dhjetor të vitit 2013 u bë ekzekutimi i Jang Song-thaek, xhaxha i liderit aktual të vendit të izoluar, që kishte qenë dhe kujdestar dhe numri dy i regjimit. Përveç Jang, i akuzuar për grusht shteti, u shfarros e gjithë familja e tij dhe njerëzit e afërt me të. Fillimisht u përhapën zëra se, zyrtari ishte hedhur në një kafaz dhe shqyer nga një kope prej 120 qensh, version ky që u vlerësua i pabesueshëm.

Top Channel