Ekstremizmi i dhunshëm, përfaqësuesit e BE: Investitorët kërkojnë siguri

14/02/2017 00:00

BE e sheh ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri të lidhur ngushtë me funksionimin e gjykatave dhe sundimin e ligjit.

Megjithatë, Jan Rudolph, përfaqësues i delegacionit europianë thotë se prioritet për vendin tonë është ngritja e një sistemi gjyqësor të rregullt.

“Kjo nuk është vetëm sfida kryesore që ne po ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE, por edhe për faktin se në një vend ku mbizotëron sundimi i ligjit, është një vend ku ata që nuk kanë pushtet të ndihen të fuqishëm. Në rast se Shqipëria do të ketë sukses në këtë përpjekje, atëherë ndryshimi do të jetë i madh për qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Dhe po ashtu është një kusht tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Cdo kompani ndërkombëtare përpara se të investojë do të jetë i sigurtë që ekzistojnë të gjithë parametrat ligjorë në rast se do të ketë probleme”, thotë Jan Rudolph, shef i seksionit politik i delegacionit të BE-së.

Edhe pse Cërriku është cilësuar si një nga qytetet ku rekrutimet mbi baza të ekstremizmit ka qenë më i përhapur, autoritetet vendore thonë se nuk ka një hartë të përcaktuar.
 
“Problematika e ekstremizmit nuk ka një gjeografi fikse, dhe si e tillë po merremi me fazën e parë të adresojmë përmes studimeve dhe reflektimeve në territori për të parë ku janë problematikat më të mëdha. Nuk mund të them që Cërriku është nga qytretet të cilësuara më problematike, por hyn nëhartën e vendeve që ka pasur problematika të kësaj natyre”, shprehet Agron Sojati, koordinatori kombëtar për planin e veprimit.

“Ne nuk jemi të sigurtë dhe nuk mund të themi që Cërriku është një vend ku ka prodhuar ekstremist të dhunshëm, përveçse disa rasteve sporadike. Ajo që jemi të sigurtë dhe e themi me vendosmëri që Cërriku është një nga vendet që eksporton më shumë bashkëjetesë fetare. Cërriku fatkeqësisht konstatojmë se është një nga qytetet më të varfra të Shqipërisë, po nga këtu duhet ti japim përgjigje këtij fenomeni”, thotë Altin Toska, kryetari i bashkisë së Cërrikut.

Top Channel