Dekriminalizimi, Llalla nxjerr listën me 6 deputetë e 3 kryebashkiakë

14/02/2017 00:00

Nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë janë në listën e Prokurorisë me dyshimin se ata janë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit.

Top Channel e verifikoi listën e Prokurorisë nga burime zyrtare dhe rezultoi se 6 prej tyre janë deputetë dhe 3 kryebashkiakë, ata të Poliçanit, Tepelenës dhe Pogradecit.

Artan Gaci, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi janë deputetët që Top Channel konfirmoi se po verifikohen nga Prokuroria. Të gjithë këta zyrtarë janë të mazhorancës, përveç Mhill Fufit dhe kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri, që para se të zgjidhej në këtë detyrë përfaqësonte Partinë Social-Demokrate.

Ndërkohë, edhe Mhill Fufi është i përjashtuar nga grupi i PD-së, pas votës së tij për një nga 7 ligjet e drejtësisë dhe nga selia blu llogaritet si votues i mazhorancës. Ajo çfarë bie në sy është se, në procedurën e verifikimit, Prokuroria ka përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Burime të besueshme konfirmuan për Top Channel se Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në KQZ disa shkresa me përmbajtje të njëjtë për 9 funksionarët publikë, duke kërkuar informacion se në çfarë stadi verifikimi janë formularët e tyre të dekriminalizimit.

Ky është një proces që KQZ-ja e ka kryer prej disa muajsh, kur u bë edhe mbledhja e formularëve të deklarimit dhe konfirmohet se përgjigjja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është se 6 deputetët dhe 3 kryebashkiakët nuk janë në pozitat e humbjes së mandatit.

Përgjigjja zyrtare e KQZ-së është nisur të hënën drejt Prokurorisë, e cila është e vetmja hallkë që mund të hetojë për të shkuarën e këtyre zyrtarëve, jashtë kufijve të vendit, dhe më thellësisht në kohë dhe në përmbajtje.

Deputeti Artan Gaçi reagoi i surprizuar pas lajmit për verifikimin e tij nga prokuroria dhe tha se kurrë nuk është ndaluar, arrestuar apo dënuar në Europë apo vende të tjera. Sipas deputetit socialist, nëse do të kishte ekzistuar ndonjë dyshim, ai do nuk do të lejohej të hynte me dhjetëra herë për vizita zyrtare në Senatin dhe bashkitë e Italisë.

Gaci: Kurrë i dënuar. Peçi: Vetëm një gjobë. Kapri: Jam me PD

Deputeti Artan Gaci reagoi i befasuar pas lajmit për verifikimin e tij nga Prokuroria dhe tha se kurrë nuk është ndaluar, arrestuar apo dënuar në Europë apo vende të tjera. Sipas deputetit socialist, nëse do të kishte ekzistuar ndonjë dyshim, ai nuk do të lejohej të hynte me dhjetëra herë për vizita zyrtare në Senatin dhe bashkitë e Italisë.

Edhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi mohoi të ketë kryer ndonjëherë ndonjë vepër të parashikuar në ligjin e Dekriminalizimit. Ai tha se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, por ka vetëm një gjobë makine 150 mijë lekë.

Ndërsa kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri tha se ishte i hapur për verifikim, edhe pse nuk ka pasur asnjë problem me të kaluarën. Kapri e përdori reagimin edhe për të sqaruar pozicionin e tij politik, duke mohuar zërat se është afruar me LSI-në, dhe se i përket Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, deputeti Aqif Rakipi tha se nuk ka bërë asgjë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur. Sipas deputetit të PDIU-së, Prokuroria ka kohë që po verifikon dhe se nëse do të kishin gjetur gjë, do ta kishin publikuar.

Top Channel