Grabitja në Rinas, policia aksion për kapjen e autorëve

14/02/2017 00:00

Pesë ditë pas grabitjes së 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit policia e shtetit ka nisur një operacion masiv për kapjen e autorëve. Operacioni po zhvillohet nga ajri dhe nga toka.

Krahas policisë së Tiranës, janë përfshirë edhe forcat RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Mësohet se operacioni po zhvillohet në zonën e Prezës dhe Vorës.

Ngjarja ndodhi të enjten e 9 shkurtit, ku automjeti që transportonte lekët drejt aeroportit të Rinasit u grabit nga të paktën 6 grabitës.

Aktualisht janë arrestuar në akuzën e shpërdorimit të detyrës, grupi shoqërues i parave të një kompanie private sigurimi dhe drejtori teknik i saj.

Hetimet, i dyshuari i vetëm, shpresa e policisë

Një person i ndaluar prej disa ditësh nga policia mbetet shpresa e vetme për zbardhjen e supergrabitjes së 3.2 mln dollarëve në Qafë-Kashar.

Personi në fjalë, me inicialet F.Xh nga Lushnja, dyshohet të jetë bashkëpunëtor i grabitësve të cilëve u ka dhënë informacion.

Burimet policore shprehen tepër të rëzervuara, por Top-Channel ka mësuar se ky shtetas, i cili mbahet në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka punuar më parë në një kompani të sigurisë fizike.

Ai është pikasur nëpërmjet qelizave telefonike në zonën e Qafë-Kasharit para, gjatë dhe pas grabitjes, duke mos dhënë alibi bindëse mbi arsyet e qëndrimit në këtë aks ditën e ngjarjes. Por mesa duket hetimet kanë ecur përpara edhe në drejtime të tjera.

Nga verifikimet e kryera grupi hetimor ka zbuluar se makinat e djegura që u përdorën gjatë grabitjes kanë ardhur nga jashtë. Hetuesit shpresojnë që gjatë gjurmimit të tyre të nxirret ndonjë e dhënë e vlefshme në funksion të zbulimit të autorëve.

Po ashtu, prokuroria ka administruar disa dëshmi të banorëve të zonës por edhe një patrulle policie të cilët kanë hedhur dritë mbi mjetin me të cilin janë larguar autorët.

Pas grabitjes policia shoqëroi mbi 30 persona ndërsa ende nuk dihet akuza që do ti ngrihet shtetasit të dyshuar dhe kur do të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel