Shfajësimi i “Hakmarrjes”, KLD hetim gjyqtarëve

14/02/2017 00:00

Vetëm një ditë pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli të pafajshëm të gjithë anëtarët e grupit të njohur si “Hakmarrja për Drejtësi”, presidenti Nishani ka kërkuar nga KLD një hetim të trupës gjyqësore.

Në cilësinë e kreut të KLD-së, Nishani ka kërkuar nga Inspektoriati i këtij insitucioni një verifikim nëse trupa gjyqësore ka kryer shkelje disiplinore në marrjen e këtij vendimi.

Në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit e KLD-së thuhet se do të verifikohet nëse gjyqtarët haptazi nuk i janë referuar ligjit, ose fakteve për shkak të pakujdesisë së rëndë ose dashjes; apo, në mënyrë të pajustifikuar kanë kryer akte dhe sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, apo dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor.

Por veç këtyre hetimeve, presidenti Nishani ka kërkuar që të verfikohen të gjitha procedurat që janë ndjekur gjatë zhvillimit të seancave deri në dhënien e vendimit, që nga marrja e kopjeve të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, administrimin e regjistrimeve audio të seancave, vendimin gjyqësor të zbardhur, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtarët, sekretarja gjyqësore, prokurori i çështjes dhe kryetari i gjykatës.

Ndërkaq, burime zyrtare nga Prokoria e Përgjithshme, të kontaktuara nga Top Channel thanë se janë në pritje të zbardhjes së vendimit, për të parë nëse do t’i drejtohen me një rekurs Gjyaktës së Lartë apo jo.

Top Channel