Pasuesit e mundshëm të Flynn, 3 ish-gjeneralë në garë

14/02/2017 00:00

Michael Flynn dha dorëheqjen si këshilltar i sigurisë kombëtare mbrëmjen e së hënës, duke lënë vakant një nga postet më të rëndësishme në administratën e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas raportimeve të CNN, presidenti Donald Trump i ka kërkuar gjeneralit në pension Keith Kellogg për të marrë përkohësisht këtë detyrë.

Por Kellogg ishte në garë për të marrë këtë post me kohë të plotë, sikurse dhe gjenerali në pension David Petraeus dhe ish-nënadmirali Bob Harward, të cilët e kanë rihapur garën në fjalë.

Por cilët janë këta pretendentë për një post kaq të rëndësishëm në stafin e Trump?

Njësoj si Flynn, edhe Kellogg është një ish-gjeneral me 3 yje, që u tërhoq nga ushtria dhe vendosi të shërbejë në administratën Trump.

Ai qëndroi me uniformë për disa dekada duke ngjitur me radhë gradat, derisa doli në pension në fillim të luftës në Irak.

Gjithësesi, ai vazhdoi bashkëpunimin me qeverinë amerikane, duke marrë një rol të rëndësishëm drejtues në Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit, një grup që kishte për detyrë riorganizimin e qeverisë dhe ushtrisë irakene pas rënies së regjimit të Saddam Hussein.

Së fundmi, ai punoi nën urdhërat direkte të Flynn derisa ky dha dorëheqjen, ndërsa më herët si këshilltar për politikën e jashtme gjatë fushatës elektorale të Trump.

Edhe Petraeus është një ish-ushtarak që ka shërbyer për vite të tëra nën armë, përpara se të arrinte shkëlqimin, por edhe rënien gjatë administratës Obama.

Petraeus ishte një nga figurat ushtarake kyçe që përgatiti qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj konflikteve në Lindjen e Mesme. Ai fitoi shumë popullaritet për punën që bëri për të frenuar dhunën që kishte kapluar Irakun nga fundi i viteve 2000.

Më pas ai udhëhoqi trupat në Afganistan dhe më vonë u emërua nga nga presidenti Obama në krye të CIA-s. Por shumë shpejt do të jepte dorëheqjen nga kjo detyrë për shkak të një afere jashtëmartesore me biografen e tij.

Edhe nënadmirali Harward ka shërbyer në marinë, madje në radhët e njësisë elitë Navy Seal. Gjatë administratës Obama ai punoi si numri dy i Komandës Qendrore të SHBA.

Pas tërheqjes nga ushtria shërbeu si drejtues në kompaninë prestigjoze amerikane të armatimeve “Lockheed Martin UAE”.

Në disa email-e të publikuara nga “Washington Post”, gjenerali që tashmë është sekretar i Mbrojtjes, James Mattis shprehet për Harward: “Është një njeri i shkëlqyer, edhe si SEAL”.

Top Channel