Transporti publik, Veliaj: Koordinim me institucionet për oraret e punës

14/02/2017 00:00

Kombinat-Kinostudio ka qënë linja e radhës e transportit urban që është inspektuar nga kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai i ka kërkuar qytetarëve të informojnë për çdo parregullsi.

Ai vlerësoi se falë punës dhe kontrollit të vazhdueshëm, kjo linjë ofron tashmë një shërbim dinjitoz për qytetarët.

“E pranoj se kjo është një nga linjat më funksionale në Tiranë, edhe për faktin se ka një proporcion të barabartë mes autobusëve normalë dhe atyre fizarmonikë, çka na ndihmon për fluksin e mëngjesit. Fluksi i orës 07.30-08.00 është një fluks i cili, për qytetin tonë, paraqet një problematikë që mund të zgjidhet vetëm duke shtuar numrin e autobusëve”, tha kryetari Veliaj.

Por, për të ndihmuar lehtësimin e lëvizjes në orët e mëngjesit, ai bëri të ditur se po shikohet mundësia edhe për një koordinim me institucionet e tjera, në mënyrë që jo të gjithë punonjësit të nisin punë në të njëjtin orar. “Po mendojmë edhe për zgjidhje të tjera, pra si mund që me disa nga institucionet punëdhënëse të koordinojmë oraret, ku jo çdo institucion të fillojë punë në të njëjtin orar. Kjo na jep mundësi që ta sfazojmë pak fluksin e mëngjesit, duke e ndarë në disa fasha orare”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj theksoi se shërbimi i transportit publik në Tiranë po ndryshon dhe për këtë i’u referua sondazhit të para disa ditëve, të kryer në të gjitha linjat e autobusëve me qytetarë të ndryshëm.

Top Channel