Kremlini: Dorëheqja e Flynn, çështje e brendshme e SHBA

14/02/2017 00:00

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se Rusia nuk do të komentojë dorëheqjen e këshilltarit për sigurinë kombëtare të presidentit amerikan Donald Trump.

“Kjo është çështje e brendshme e amerikanëve, çështje e brendshme e administratës Trump. Nuk ka asnjë lidhje me ne”, ka thënë Peskov.

Ndërkohë, zyrtarë të tjerë rusë kanë dalë në mbrojtje të këshilltarit Michael Flynn. Senatori Alexei Pushkov ka deklaruar në Twitter se Flynn e kanë detyruar të dorëhiqet.

“Atë e kanë detyruar të dorëhiqet jo për shkak të gabimit të tij, por për shkak të fushatës elektorale agresive. Pas tij radhën e ka Trump të shënjestrohet”, ka thënë Pushkov.

Këshilltari i Trump dha dorëheqjen pas akuzave se kishte kryer biseda telefonike me ambasadorin rus në Uashington përpara se të merrte detyrën dhe sipas mediave amerikane, ishte kthyer në një element që mund të shantazhohej nga Rusia.

Top Channel