SHBA sanksionojnë zv.presidentin e Venezuelës për trafik droge

14/02/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj zëvendës presidentit të ri të Venezuelës, duke e akuzuar atë për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Administrata amerikane e ka përfshirë Tareck El Assami në Listën e Baronëve të Drogës, për rolin e tij domethënës në lëvizjen ndërkombëtare të narkotikëve.

Sanksionet kanë përfshirë edhe biznesmenin e njohur venezuelian Samark Lopez, i cilësuar si përfaqësuesi kryesor i interesave të zëvendës presidentit El Aissami. Ky i fundit u përzgjodh muajin e kaluar nga presidenti Nicolas Maduro.

Nga pala venezueliane nuk ka patur një reagim lidhur me këtë masë, por në të kaluarën El Aissami i ka mohuar akuzat për lidhje kriminale.

Sanksionet parashikojnë ngrirjen e aseteve të zëvendës presidentit në Shtetet e Bashkuara dhe i ndalojnë atij hyrjen në territorin amerikan.

Në një deklaratë të Departamentit të Thesarit thuhet se numri 2 i shtetit venezuelian ka lehtësuar lëvizjen e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Venezuela, në rrugë ajrore dhe detare.

Gjithashtu, thuhet se ai merrte ryshfet nga baroni i drogës Walid Makled, për garantimin e ngarkesave të narkotikëve.

John E Smith, zyrtar pranë Departamentit të Thesarit, ka deklaruar se sanksionet janë kulmi i një hetimi disavjecar në kuadër të të ashtuquajturit “Kingpin Act”, për të goditur trafikantët e mëdhenj të drogës.

Top Channel