Dorëheqje “për Rusinë”. Këshilltari i Trump nuk tregoi të vërtetën

14/02/2017 00:00

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në administratën e Donald Trumpit, Michael Flynn dha dorëheqjen pas njoftimeve se nuk  ka treguar të vërtetën rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Largimi i Flynnit në kohën kur qeveria e re amerikane nuk ka veçse një muaj që ka nisur nga puna, përbën një goditje të fortë për shefin e Shtëpisë së Bardhë dhe ekipin e tij të këshilltarëve.

Edhe pse një besnik i palëkundur i miliarderit republikan, gjeneral-lejtnanti në pension ka ngjallur mjaft shqetësime mes bashkëpunëtorëve të tjerë. Ai ia kishte pranuar zëvendëspresidentit Mike Pence kontaktet me përfaqësuesin e lartë diplomatik rus, por pa i përmendur diskutimin mbi sanksionet.

Asokohe, Flynn ishte vërtet pjesë e ekipit tranzitor të Trumpit, por ky i fundit nuk e kishte bërë ende betimin dhe ligjet në Amerikë e ndalojnë parashtrimin e politikave qeveritare nga persona që nuk mbajnë post zyrtar.

“Unë në mënyrë të pamatur u dhashë zëvendëspresidentit të zgjedhur dhe të tjerëve informacione të paplota mbi telefonatat e mia me ambasadorin rus. I kam kërkuar sinqerisht ndjesë si atij, ashtu edhe presidentit, dhe ata e pranuan apologjinë time. E ofroj dorëheqjen time i nderuar që i shërbeva kombit tonë dhe popullit amerikan. E di se me ekipin aktual, kjo do të hyjë në histori si njëra prej presidencave më të mëdha të Shteteve të Bashkuara”, shkruhet në letrën e dorëheqjes.

Mediet amerikane raportuan më herët se Departamenti i Drejtësisë e pati paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë mbi kontaktet polemizuese, me argumentin se Flynn mund të ishte i cënueshëm nga shantazhi rus.

Top Channel