Bundesliga, Mavraj në formacionin e javës

13/02/2017 00:00

Moment i artë në Bundesliga për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj. Shtatlarti shqiptar që vetëm pak javë më parë u transferua te Hamburgu, po e fiton bastin e tij personal.

Mavraj, ashtu si edhe shoku i tij i skuadrës, Papadopulos është vendosur në 11-n ideale të gazetës prestigjose “Kicker” pas ndeshjes pothuajse perfekte në transfertën e Leipzig, ku Hamburgu shkatërroi 3-0 vendin e dytë të Bundesligës.

Në transfertën e së shtunës, Mavraj fitoi pjesën më të madhe të dueleve dhe kjo ka bërë që ai të marrë notën 2 nga gazeta gjermane. Një moment i artë për mbrojtësin shqiptar i cili i dërgon sinjale pozitive edhe trajnerit Gianni De Biasi disa javë përpara duelit eliminator të Palermos kundër Italisë. Kjo është hera e katërt që Mavraj rreshtohet në formacionin më të mirë të javës në Bundesliga dhe përpara shqiptarit janë vetëm Keita, Forsberg e Lewandowski.

Pas 20 javëve të para, Hamburgu tashmë është larguar nga Zona e Ftohtë duke u ngjitur në vendin e 15 me 19 pikë dhe dy fitore rresht në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Marc Gisgdol ka arritur të sigurojë edhe biletën për në fazën çerekfinale të Kupës së Gjermanisë pas fitores 2-0 ndaj Kolnit.

Në duelin përballë ish-skuadrës së tij, Mavraj dhuroi një tjetër paraqitje pozitive duke bindur drejtuesit e klubit aktual se ata bënë dzgjedhjen e duhur në momentin që i dorëzuan çelësat e mbrojtjes në dorë.

Top Channel