“Football Manager” parashikon fituesin e “Champions”

13/02/2017 00:00

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me fazën e 1/8 dhe rezultateve që do të dalin nga këto përballje, loja e famshme Football Manager i ka paraprirë me një simulim, duke përcaktuar edhe fituesin.

Sipas këtij simulimi të posaçëm, Reali i Madridit do të mbrojë me sukses titullin e kampiones së Europës duke kaluar Napolin, më pas në çerekfinale Leicesterin, në gjysmëfinale do të kalojë Atleticon e Madridit për t’u përballur në finale me Bajernin e Mynihut.

Gjithnjë sipas këtij simulimi, përballja Real-Bajern do të mbyllet në barazim për 120 minuta dhe vetëm nga 11-metërshat, skuadra e Zinedine Zidane do të arrijë që të shpallet për të tretën herë, në katër vitet e fundit, kampione e Europës.

Protagonistë të suksesit (të paktën kompjuterik) të Realit do të jetë dyshja Ronaldo-Bale, ndërsa pavarësisht se nuk do të arrijë në finale, Messi do të shfaqë një formë mbresëlënëse për Barcelonën.

Skuadrat që do të kalojnë në çerekfinale, sipas “Football Manager” janë Manchester City, Real Madrid, Dortmund, Bajern i Mynihut, Juventus, Barcelona, Atletico Madrid dhe Leicesteri.

Në çerekfinale, sipas simulimit, Bajerni do të përplaset me Dortmundin, Manchester City me Atleticon e Madridit, Leicesteri me Realin e Madridit, ndërsa Barcelona me Juventusin.

Simulimi ka prodhuar edhe fituesit. Bajerni do të shkatërrojë Dortmundin me rezultatin e përgjithshëm 7-0, Atletico do të kalojë Cityn 2-3, Reali 6-2 Leicesterin ndërsa Barcelona do të kalojë Juventusin me rezultatin e përgjithshëm 6-1.

Në gjysmëfinale, Reali do të kalojë Atleticon me rezultatin e përgjithshëm 4-2, ndërsa Bajerni eleminon Barcelonën 3-1.  Në fund, finalja e madhe mbyllet pas 120 minutave në barazim 2-2 mes Realit dhe Bajernit dhe sfida përcaktohet nga penalltitë, ku madrilenët e Zinedine Zidane fitojnë 4-3…gjithnjë sipas simulimit kompjuterik.

Sa i saktë do të rezultojë ky parashikim? Kjo do të nisë të provohet ose rrëzohet që nga e marta, kur Benfica pret Dortmundin dhe PSG luan në shtëpi përballë Barcelonës.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel