Romë, Santa Maria della Scala do drejtohet nga kardinal Troshani

03/02/2017 00:00

E ndërtuar në vitin 1610, kisha Santa Maria della Scala në Romë nga sot drejtohet nga kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani. Kisha u dha nga ati i shenjtë, Papa Françesku, ditën kur Troshani u emërua kardinal, nëntorin e kaluar.

Në prani të dhjetëra besimtarëve, klerikëve dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik u lexua dekreti papal, i cili i kalon zyrtarisht kardinalit shqiptar në zotërim një prej kishave më të rëndësishme në Romë.

Në fjalën e tij, kardinali Ernest Simon Troshani ju drejtua të gjithë besimtarëve për më shumë përulësi, largim nga materializmi dhe besim të palëkundur në Zot.

Në meshë, bashkë me të ishin dhe priftërinj të tjerë shqiptarë, të cilët udhëtuan për të qenë pjesë e kësaj ceremonie. Në përfundim të meshës, sipas riteve katolike, kardinali shqiptar firmosi dhe procesverbalin e marrjes në dorëzim të kishës, i cili u lexua në prani të të gjithë priftërinjve.

Edhe pse ka drejtuar mijëra mesha, për kardinalin shqiptar kjo ishte ndryshe nga të tjerat. “Kjo është një traditë e madhësisë shpirtërore dhe dashurisë së pafund për lirinë, popullin dhe kishën. Një simbol se jemi të bashkuar të gjithë”, thotë kardinal Troshani.

Por edhe pse tashmë ai i përket besimtarëve katolikë në të gjithë botën, ai asnjëherë nuk harron famullinë e tij në Trush, në të cilën premton se do të kthehet të meshojë sërish.

Top Channel