“Veliera” zbret në komisionin parlamentar, akuza Dakos dhe Kumbaros

13/02/2017 00:00

Gërmimet në sheshin e Velierës u ndërprenë pas zbulimit të rrënojave arkeologjike. Çështja, tashmë e kthyer edhe në politikë, çoi para deputetëve ministren Kumbaro dhe kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

“Nga muaji dhjetor, Instituti Arkeologjisë ka kryer monitorimin dhe studimin në zonën para portit, por pa kryer punime nën tokë. Nga punimet nuk janë prekur shtresat arkeologjike. Në 5 shkurt ramë në gjurmët e një godine të administratës otomane. Gërmimet janë të fundit të shekullit të XIX. Sa u morr informacioni, firma u tërhoq nga siti. Janë në process verifikimi”, sqaroi ministrja Kumbaro. “Në zonën ku është gjetur rrënoja arkeologjike po punojnë arkeologët dhe ne nuk po punojmë”, nënvizoi më pas kryebashkiaku Dako.

Për shoqërinë civile, zbulimet janë realizuar në zonën A të qytetit, aty ku nuk mund të gërmohet. Të pranishëm në Komision, ata akuzuan ministren Kumbaro dhe kryebashkiakun Dako për betonizim të Durrësit dhe të trashëgimisë kulturore.

I pyetur për vlerën e projektit të sheshit, për të cilën demokratët thanë se kushton 6 milionë dollarë, vetë Dako tha se nuk ka dijeni as për firmën që po kryen punimet.

Aktualisht, zona pranë portit, ku do të ndërtohet një shesh i ri publik, është ndarë në dy pjesë, njëra prej tyre është rrethuar e ku vazhdojnë punën arkeologët dhe tjetra, zonë në të cilën vazhdojnë punimet për sheshin.

Top Channel