Basha: Lirimi i “Hakmarrjes”, skenar i Ramës për zgjedhjet

13/02/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës për Hakmarrjen për Drejtësi, duke e cilësuar një skenar të kryeministrit Rama për të vjedhur zgjedhjet.

“Kur i ngelen edhe pak muaj në pushtet, Edi Rama ka arritur t’i sigurojë lirinë organizatës më kriminale në vend, Hakmarrjes për Drejtësi. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është thjesht një zbardhje e urdhërit të Edi Ramës. Nuk ka asnjë dyshim, që është ai pas kësaj goditjeje të rëndë ndaj ligjit dhe rendit”, ka deklaruar Basha.

Duke cituar denoncimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Basha ka akuzuar Ramën se urdhëron gjyqtarë me telefon, i sulmon ata me ulërima dhe gjurmon në mënyrë ta paligjshme zyrtarët e drejtësisë.

“Pra, ai dikton vendime. Dhe sot, kur organizata që ka kryer dhjetëra krime merr pafajësinë, ai hesht si guak. Dhe do të heshtë, me siguri s’ka për të thënë asnjë fjalë”, ka thënë më tej Basha.

Sipas tij, heshtja e kryeministrit gjendet në trojet e Tiranës të bëra pallate kur ai ishte kryetar bashkie me këtë bandë, ndërsa sot e njëjta heshtje fsheh synimin për të vazhduar bashkjetesën me krimin dhe qëllimin e tij për të dhunuar zgjedhjet.

“Pas lirimit të Lul Berishës në Durrës, mos kapjes së Klement Balilit në Sarandë, dërgimit në spitalin e burgut të Emiljano Shullazit në përgatitje për ta liruar nga burgu në Tiranë, lirimi i Hakmarrjes për Drejtësi ka konsoliduar një fron të pastër kriminal të kontrolluar dhe në shërbim të Edi Ramës. Sepse vetëm kështu mund ta mbajë pushtetin”, ka thënë Basha.

Top Channel