PS, apel opozitës: Rikthehuni në komisione

13/02/2017 00:00

Deputetët socialistë i kanë bërë thirrje kolegëve demokratë që të heqin dorë nga bojkoti dhe t’u kthehen diskutimeve në komisionet parlamentare.

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, pa praninë e kryeministrit Rama, është vendosur që projektligji për arsimin profesional të rikthehet pas dy javësh në votim në Parlament.

Ky projektligj rrezikoi të mos miratohej për shkak të kundërshtimit jo vetëm të opozitës, por edhe nga deputetët e LSI-së.

“Ju e keni parë si është trajtuar opozita në komisionet parlamentare. Është absurde mungesa e tyre. Sa herë prej tyre ka pasur propozime të arsyeshme, sigurisht që kanë gjetur pasqyrim në ligje. Ka një diferencë të madhe mes punës në komisione parlamentare dhe seancës së të enjtes”, ka thënë deputeti Eduard Shalsi për Top Channel.

“Opozita vjen në Parlament, del në debate televizive dhe ndoshta për shkak të protestës që kanë preferon të mos vijë në komisione. Ne bëjmë gjithmonë ftesë, nëse ata e bojkotojnë kjo nuk më duket shumë serioze për opozitën”, ka thënë deputeti tjetër Ervin Bushati.

Top Channel