“Night to shine”, aktiviteti për të rinjtë me aftësi të posaçme

13/02/2017 00:00

Një aktivitet i veçantë është organizuar për adoleshentët dhe të rinjtë me aftësi të posaçme. “Night to shine” ishte eventi që mblodhi dhjetëra të rinj me aftësi të posaçme nga e gjithë Shqipëria.

Të rinjtë, së bashku me familjarët e tyre kanë kënduar e kërcyer nën tingujt e muzikës, duke dhuruar emocione dhe momente të bukura për njëri-tjetrin.

“Night to shine” është një event që organizohet çdo 10 Shkurt në 50 shtete të ndryshme. Një ndër këto shtete është dhe Shqipëria, ku eventi organizohet nga Kisha Ungjillore IFC, me mbështetjen e Tim Tebow Foundation.

Me emocione dhe ovacione është pritur nga të rinjtë dhe familjarët e tyre mesazhi që themeluesi i fondacionit, Tim Tebow ka dërguar përmes një videoje.

“Shpresoj që po kaloni mbrëmjen më të bukur sepse mbrëmja është e gjitha për ju. Shpresoj që po këndoni, vallëzoni dhe që e shijuat tapetin e kuq. Kam kënaqësinë që të shpall secilin nga ju mbretin dhe mbretëreshën e mbrëmjes”, tha Tim Tebow në mesazhin e tij.

Momenti i kurorëzimit të mbretit dhe mbretëreshës i shpallur prej tij ishte dhe kulmi i aktivitetit, ku të rinjtë me aftësi të posaçme shijuan dhe gëzuan të qënurit mbretër. Në përfundim të aktivitetit organizatorët shpërndanë dhurata për të rinjtë e pranishëm.

Top Channel