Protesta, Basha në Kavajë: Ramës i duhet Roshi se ka frikë votën e lirë

13/02/2017 00:00

Kavaja, slmboli i humbur i fltoreve të Partisë Demokratike ka hyrë në historinë e demokracisë si qyteti që u ngrit i pari kundër regjimit komunist.

Tani, pas 6 vitesh humbje në Kavajë, Lulzim Basha po përpiqet të rizgjojë lavdinë e së kaluarës, duke u kërkuar qytetarëve të Kavajës të bëhen pjesë e protestës në 18 shkurt.

“Sot jemi të gjithë bashkë këtu për t’i thënë të gjithë qytetarëve të Kavajës se kjo nuk është betejë e partive politike, por është beteja e gjithë qytetarëve të bashkuar për t’i thënë jo varfërisë, papunësisë, për t’i thënë jo arrogancës dhe poshtërimit. Për t’i thënë po, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, e përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një qeverie që mendon për qytetarët, për Kavajën, për Shqipërinë”, deklaroi Basha gjatë një vizite në këtë qytet.

Kreu i opozitës beson se me protestën e 18 shkurtit shqiptarët do t’i japin zgjidhje edhe përfshirjes së krimit në politikë, simbol i të cilit sipas Bashës është Elvis Roshi, kryebashkiaku i shkarkuar i Kavajës.

“Populli i Kavajës i përçmon ata që i veshën Kavajës imazhin e përdhunuesit dhe trafikantit të drogës. Populli i Kavajës nuk i pranon këto vese, i përbuz këto vese. Elvis Rroshi është pasqyra vetëm e Edi Ramës. Elvis Rroshi dhe Edi Rama janë vëllezër siamezë, pa Edi Ramën nuk ka Elvis Rrosh dhe pa Elvis Rroshin nuk ka Edi Ramë”, tha Basha.

Por një qytetar e kundërshtoi Bashën duke mbrojtur punën e Elvis Roshit për Kavajën. Ai u largua me forcë nga demokratët, që e identifikuan si një provokator dhe punonjës të bashkise.

Në arenën e debatit politik, Kavaja është përfaqësuar historikisht nga figurat të nivelit më të lartë, fillimisht Azem Hajdari dhe për shumë mandate nga Sali Berisha.

Sot Kavaja vazhdon të jetë akoma në arenën e debatit kombëtar, por për shkak të lidhjes së Elvis Roshit me ligjin e dekriminalizimit. Në këtë Kavajë të kontrasteve të forta politike, Basha kërkon të lërë shenjën e vetë.

“Përse i duhet Edi Ramës, Elvis Rroshi? I duhet sepse i trembet votës së lirë dhe të ndershme. Por unë i garantoj sot qytetarët e Kavajës se do të jem në ballë të kësaj beteje derisa të kemi një qeveri për qytetarët. Le t’i themi me zërin e bashkuar atyre që kanë refuzuar ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, se koha e tyre ka mbaruar, se koha e qytetarëve po vjen dhe nuk ka forcë ta ndalë. Nga kjo betejë, nuk kthehemi pa fitore”, tha më tej Basha.

Top Channel