Kodheli-Demolli: Reagim të përbashkët

13/02/2017 00:00

Shqipëria dhe Kosova do të kenë një reagim të përbashkët ndaj provokimeve artificiale nacionaliste.

Në këtë përfundim kanë dalë pas takimit që pati ministrja shqiptare e Mbrojtjes Mimi Kodheli me ministrin e Forces së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli në Tiranë.

“Çdo përpjekje për të krijuar tensione false nacionaliste do të përballet me vullnetin tonë të përbashkët të palëkundur për të vazhduar ëndrrën tonë më të madhe dhe të popujve atë të integrimit atlantik në gjithë rajonin që jetojmë”, tha Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes.

Ndërsa ministri i FSK, Haki Demolli kërkoi më tepër presion nga shoqëria në Kosovë po jo vetëm, ndaj deputetëve serbë, të cilët sipas tij kanë bllokuar transformimin e FSK në një forcë të mirëfilltë të armatosur.

“Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në Forcë të Armatosur të Kosovës, i cili proces tanimë është i ditur që për shkak të mosgatishëmrisë së deputetëve të komunitetit serbë në Kuvendin e Kosovës që të votojnë për amendamentet kushtetuese, të cilat hapin rrugën për transformim kanë një kohë të gjatë që kanë stanjuar. Kërkesa e shoqërisë kosovare është në vazhdimësi që ky proces të ndodhë dhe dita-ditës të kemi presion nga të gjitha segmentet e mundshme kosovare”, tha Haki Demolli, ministri i FSK-së.

Top Channel