SHBA, këshilltari i sigurisë mund të ketë shkelur ligjet federale

13/02/2017 00:00

Donald Trump mund të ketë shkaktuar shumë tension me emërimet e stafit të tij që prej ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë, por edhe mes zyrtarëve të lartë mund të jetë ndonjë “i padëshirueshëm” që mund të bëhet shpejt “kokë turku”.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka refuzuar të konfirmojë nëse Trump vijon ta mbështesë këshilltarin e tij të sigurisë, Michael Flynn, i cili sipas raporteve të fundit mësohet të ketë folur me ambasadorin e Rusisë mbi lehtësimin e mundshëm të sanksioneve, javë përpara se presidenti i ri të merrte çelësat e Zyrës Ovale.

“Nuk është detyra ime t’iu them se çfarë ka në mendje presidenti”, është shprehur Stephen Miller, një këshilltar i lartë politik i Trumpit duke folur për “NBC”. “Kjo është një pyetje për presidentin”. I ngacmuar më tej me pyetjen nëse Shtëpia e Bardhë i ka dhënë udhëzime atij për të folur mbi pozicionin e Flynn, Miller tha se “ata nuk më udhëzojnë për asgjë se çfarë duhet të flas”.

Përballë një sfondi të nxehtë dhe potencialisht të rrezikshëm ndërkombëtar, përfshi këtu testimet e raketave balistike të Koresë së Veriut dhe intensifikimin e luftës civile në Ukrainë, ndihmësi më i afërt i presidenti normalisht duhej të ishte këshilltari për sigurinë kombëtare. Trump e ka mbajtur shumë pranë Flynnin, që kur ky i fundit u bë një prej të paktëve shefa të rinj të Pentagonit, për të mbështetur fushatën e tij.

Por Flynn duket se ka mbajtur lidhje me Kremlinin, përfshi këtu shfaqjet e tij në medien propaganduese “RT”, ndërkohë që ka edhe disa aleatë në agjencitë e kundërzbulimit, prej të cilave u shkarkua në mënyrë tejet të hidhur gjatë administratës “Obama”.

Në dhjetor, disa javë përpara betimit të Trumpit, Flynn foli në telefon me ambasadorin e Rusisë, Sergei Kislyak. Ai dhe zv.presidenti Mike Pence mohuan që gjatë bisedës të jetë folur në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë nga qeveria amerikane, gjë që do të kishte sjellë shkeljen e ligjeve federale që ua ndalojnë shtetasve privatë të ndërhyjnë në çështje diplomatike.

Të enjten, gjithsesi, 9 zyrtarë aktualë apo ish-zyrtarë i thanë “Washington Post” se Flynn kishte diskutuar në fakt për sanksionet, të cilat i janë vendosur Rusisë për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë dhe ndërhyrjet kibernetike ndaj partive politike në fushatën zgjedhore amerikane të vitit 2016.

Një zëdhënës i Flynnit, për pasojë ndryshoi kurs, duke thënë se ish-gjenerali “nuk mund të jetë i sigurtë” (nuk mban mend) që të ketë diskutuar në lidhje me sanksionet. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Pence është informuar në lidhje me telefonatën nga vet Flynn. Më shumë sesa një ditë pas publikimit të raportit, Trump profetizoi “injorancën” në lidhje me këtë ngjarje, duke thënë se “do të informohet” mbi telefonatën.

Top Channel