Asociacion-Demarkacion, opozita gati t’i kundërshtojë. Qeveria, e vendosur

13/02/2017 00:00

Partitë opozitare në Kosovë paralajmërojnë rezistencë të fortë për të mos lejuar kalimin në Kuvend të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas asaj që shkruajnë mediet kosovare, deputetët e opozitës thonë se nëse këto marrëveshje sillen sërish në Kuvend, do të rikthehet gjithashtu edhe gazi lotsjellës.

Megjithatë, partnerët e koalicionit qeverisës këmbëngulin se këto marrëveshje do të miratohen në Kuvend.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Kosova e ka për detyrim ta themelojë Asociacionin.

“Ne e kemi detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumice serbe. Prandaj do të themelohet në harmoni me ligjin e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Gecaj, duke shpresuar se “opozita nuk do t’i kthehet metodave primitive të politikbërjes”.

“Të shpresojmë se kanë zënë mend e nuk do t’u kthehen metodave të tilla primitive”, ka deklaruar Gecaj.

Top Channel